Oda e Hotelierisë me kërkesë që dasmat të mbahen me 250 persona

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), do të bëjë kërkesë që me 10 qershor të hapen sallat e dasmave në Kosovë, si ato me ambient të hapur por edhe ato me ambient të mbyllur.

Madje sipas kësaj Ode do të kërkohet që në salla të lejohen edhe rreth 200 deri 250 persona brenda.

OHT sot ka njoftuar se nesër në ora 14:00 do të takohen me të gjithë pronarët e sallave të dasmave në vend.

 

Ky takim sipas njoftimit të Odës, do të mbahet lidhur me masat e COVID-19.

Mirëpo nga ky takim OHT pritet të dalë me kërkesa të qarta për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë Kurti.

Visar Demolli nga OHT, ka bërë të ditur për Metron se nesër do të mbledhin nënshkrimet e pronarëve të sallave të dasmave dhe do të kërkohet nga Ministria e Shëndetësisë, dhe Qeveria, që ato të hapen para sezonës së dasmave.

“Do të bëjmë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë, që me 10 qershor të hapen sallat e dasmave, si ato që kanë ambientin e hapur por edhe të mbyllur. Hapja e tyre do të bëhet me manual nga Ministria, në mënyrë që personat që janë pjesëmarrës nëpër ahengje e evenimente tjera në këto salla, të mbrohen nga COVID-19”, ka thënë Demolli për Metron.

Tutje ai ka treguar edhe numrin e pjesëmarrësve që pritet të lejohen brenda një salle të dasmave.

“Për këtë vit nuk ka dasma me numër 400 të pjesëmarrësve, por do të ketë maksimalisht 200 deri 250 persona prezent në një dasmë”, ka bërë të ditur tutje Demolli.

Kujtojmë që nga viti i kaluar, pra viti 2020 në Kosovë janë të mbyllura sallat e dasmave, krejt kjo si pasojë e virusit COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *