Për katër herë, një shtëpi në Llapushnik është goditur nga automjetet që qarkullojnë në autostradë.

Hera e fundit ishte në ditën e mërkurë kur një rrotë e shkëputur nga kamioni mori kahje drejt këtij një objekti, duke ia thyer murin.

Kjo situatë ka shtyrë Ferat Sopin që ta shpërngulë të birin dhe familjen e tij larg shtëpisë, pasi që në aksidentin para kësaj here, familjarët kishin pësuar lëndime.

Ndërkaq, sa i përket rastit të fundit, Sopa pohon që ende nuk i kanë gjetur fajtorët, meqë ata kanë arritur ta marrin gomën.

Mirëpo, hall i madh i Sopajve është që Ministria e Transportit nuk ua ka shpronësuar pronën, sikur të tjerëve në këtë zonë.

Madje ata ankohen se nuk morën asnjë përgjigje as nga Ministria e Transportit e as nga Komuna e Drenasit. As Klan Kosova nuk ka marrë përgjigje nga këto dy institucione, deri të enjten pasdite.