Zhvillimet dramatike në Kosovë, ky është parashikimi i fundit zgjedhjen presidente të Vjosa Osmanit

Lëvizja Vetëvendosje ka filluar t’i mbledhë nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për votimin e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës. Kjo është bërë të ditur nga burime brenda Kuvendit të Kosovës.

Sipas burimeve, seanca për votimin e presidentit pritet të mbahet sot pas përfundimit të seancës së Kuvendit.

Se Vjosa Osmani do të jetë presidente e ardhshme e Kosovës, e thotë edhe profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas Bytyçit, tashmë janë siguruar 67 vota për Vjosa Osmanin, ndërsa janë 79 deputet aktualisht që janë të sigurtë që do të qëndrojnë në sallë.

“Pavarësisht vullneteve të ndryshme, kandidate e vetme për këtë post është Vjosa Osmani. Ajo është kandidate e mazhorancës, por do të mbështetet me votë ose me prani në Kuvend nga Lidhja Demokratike. Deri sa të mblidhet kuvendi do të shohin si do të shkojnë ngjarjet. Por unë pres që kandidatura e zonjës Osmani dhe zgjedhja e saj si presidente të mos dështojë. Deri tani janë saktësisht 79 deputetë që do të jenë në sallë dhe 67 të sigurt që votojnë për të. Do të duhet sipas informacioneve, dhe një deputet që të realizohet kuorumi”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, deputeti Xhavit Haliti është ai, i cili mund të qëndrojë në sallë kur Osmani të votohet për presidente.

“Në fakt Gjykata Kushtetuese i detyron deputetët të jenë prezent në zgjedhjen e kryetarit të shtetit. Por ky vendim nuk është respektuar deri më sot. A do ta zbatojnë në rastin e zgjedhjes së Vjosa Osmanit? Partia Demokratike ka bërë me dije se nuk do të jetë në sallën e parlamentit në seancën e zgjedhjes së presidentit/ës. Por Xhavit Haliti ka thënë se ai do të respektojë vendimin e kushtetueses dhe do të jetë në sallë atë ditë. Nëse i qëndron kësaj deklarate arrihet kuorumi përkatës. Megjithatë Kurti dhe Osmani nuk duhet të bazohen thjesht në këtë qëndrim të zotit Haliti”, shprehet më tej profesor Bytyçi.

Ai pret që në sallën e Kuvendit të qëndrojë edhe ish kryeministri, Avdullah Hoti, për të cilin është raportuar se bashkë më Agim Veliun dhe Driton Selmanajn, nuk do ta respektojnë vendimin e kryesisë së LDK-së.

“Unë mendoj se ata kanë garantuar tashmë kuorumin e nevojshëm me më shumë se 80 deputetë. Thuhet e spekulohet se tre deputetë të Lidhjes Demokratike, përkatësisht zoti Veliu, zoti Hoti dhe zoti Selmanaj, nuk do t’i binden vendimit politik të kryesisë së LDK-së për të mundësuar zgjedhjen e presidentes Osmani. Unë nuk e besoj p.sh se Avdullah Hoti bie në nivelin e hakmarrjes së Agim Veliut. Për zotin Selmanaj nuk mund ta them diçka të tillë, sepse nuk e njoh. Por ish-kryeministri Hoti është institucional, është personalitet që nuk bie në kthetrat e një sjelljeje arkaike siç mund të shfaqet Agim Veliu”, thekson Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi thekson se edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të reflektojë lidhur me votimin e Vjosa Osmanit.

“Ndërkaq jam i bindur se AAK do të reflektojë. Minimumi Haradinaj do t’u mundësojë deputetëve lirinë e tyre për të vendosur vetë, nëse do jenë në sallë, nëse do bojkotojnë apo do të votojnë për zonjën Osmani president. Kjo do të thotë se kuorumi është i garantuar. Për pasojë edhe zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente e vendit po ashtu e garantuar”, shton Bytyçi.

“Ka edhe mundësi dhe shanse të tjera që të realizohet pjesëmarrja e deputetëve të nevojshëm në sallën e parlamentit për zgjedhjen e presidentit. Ka dhe do të ketë deputetë të veçantë, të cilët ditën e fundit do të njoftojnë se nuk do t’u binden vendimeve politike të partive të tyre. Do të jenë katër ose pesë deputetë opozitarë të tillë. Ndaj askush nga ata që i njohin zhvillimet dhe ndikimet në Kosovë nuk dyshon se këto që po them janë një realitet”, deklaron Bytyçi.

Sipas tij, Vjosa Osmani ka votën e qytetarëve të Kosovës si asnjë politikan tjetër edhe për të qenë në krye të shtetit.

“Ata që thonë se nuk është figurë konsensuale janë të gabuar. Konsensusi matet me mbështetjen e qytetarëve. Kush tjetër ka mbështetje si Vjosa Osmani? Por zonja Osmani ka edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Unë besoj se aktorët ndërkombëtarë nuk kanë nevojë që të veprojnë si në të kaluarën, sepse nuk është nevoja të imponojnë zgjedhjen e zonjës Osmani si president. Por duket se ata janë pro zgjedhjes së saj dhe madje punojnë për këtë kandidaturë”, nënvizon Bytyçi.

Për fund, ai thotë se çdo dështim i zgjedhjes së Osmanit në postin e presidentes, e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kjo do të thotë se zgjedhja e saj është e paevitueshme dhe e padiskutueshme. Kjo edhe për faktin se nuk do të ketë zgjedhje tjetër. Nëse pakica nuk krijon konsensus për figurën e zonjës Osmani, cila do të ishte ajo arsye që do ta bënte mazhorancën të bindej për një figurë tjetër të pavotuar nga qytetarët?! Nuk ka logjikë. Pra do të thotë se dështimi i zgjedhjes çon në zgjedhje të parakohshme. Pikërisht dhe për këtë fakt opozita do të gjejë mekanizmat që edhe të duket se është kundër zgjedhjes së Vjosa Osmanit, edhe do të krijojë mekanizmat që ajo të zgjidhet në krye të shtetit”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *