Haradinaj në tubimin përmbyllës: Si president do t’i kryej punët pa e pyetur Serbinë

Kandidati për president i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, përpara shumë mbështetësve, ku edhe u prezantuan të gjithë kandidatët për deputetë nga kjo parti, ka thënë se këto zgjedhje janë referendum për vendin.

Gjatë fjalës së tij, kreu i AAK-së, tha se lista e kandidatëve për deputetë është listë e atyre që e meritojnë besimin e qytetarëve dhe se është shumë krenar që ka bashkërrugëtuar në këtë fushatë me ta.

Haradinaj nën brohoritjeve të mbështetësve të tij, tha se për dy ditë merret vendimi me votë, dhe do vendoset se cilën rrugë do ta merr .

“Këto zgjedhje janë referendum dhe janë të paktën për dy tema me rëndësi. E para statusi ynë ndërkombëtar ose fati ynë në integrimet euroatlanike. Ka 20 vjet nga çlirimi që të finalizohet shtetësia jonë. Tash kur edhe pas 20 vitesh nuk jemi afër këtyre synimeve atëherë këtë diele vendoset a do të presim edhe 20 vjet dhe si do të kryejmë punë”, u shpreh Haradinaj.

Sipas tij, nëse votohet Aleanca, atëherë votohet edhe ai si president i cili do t’i kryej punët e Kosovës duke mos e përfillur Serbinë.

“Pse jam kaq i sigurt që do të ecim përpara, se nëse deri më 2025 nuk jemi në OKB e NATO atëherë unë do punoj që ne bashkë me votë të vendosim për union me Shqipërinë. Nëse ky drejtim i yni nuk i pëlqen Vuqiqit atëherë i them unë sot përgjigjen. Hiçu prej Kosovës dhe lejoje që të ec në rrugën e vet drejt organizatave ndërkombëtare, njihje Kosovën dhe të kemi paqe”, theksoi Haradinaj.

Ndër tjera, ai tha se vota e tyre të dielën, do e përcaktojë si do të vazhdojë tutje demokracia jonë.

“Nëse votojmë 135, atëherë votojmë për presidentin i cili do jetë aty ta ndihmojë qeverinë dhe kalojë nga kriza ekonomike dhe gjitha punët që e presin. Por edhe do ta korrigjoja dhe parandaloj për gabimet që mund të jenë të dëmshme për demokracinë tonë. Unë jam përcaktuar t’i dalë përball Serbisë dhe në këtë përballje kam përvojë pasi gjithë jetën ia kam kushtuar Kosovës” veçoi kreu i AAK-së Haradinaj.

Siç tha kandidati për president, AAK-ja i siguron Kosovës një president të aftë të siguroj unitetin dhe ta mbroj vendin në etapa të rëndësishme që i kemi para vetës.

“Së bashku do ta bëjmë Kosovën e fortë atë ditë që do të votojmë. Ju falënderoj që edhe pse në kohë pandemie kam pasur nderin të ju takoj në shumë takime. Më 14 shkurt të bashkuar, shkojmë të fortë”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *