Rrëfim: Si e la të priste Kadri Veseli – Shefin e CIA-s për Ballkan gjatë luftës, në takim ishin Thaçi e Klosi

Shkruan Bahri Bivolaku

Pjesa e tetë e rrëfimit të ish ushtarit të UÇK-së, Vexhi Halili
Luftëtarët po na hijeshojnë historinë
“Nuk jeni nga ata burra që shkoni në Kosovë për të luftuar. Ata që shkojnë janë burra, janë djem me gjak shqiptari dhe me sy të kuq. Ne ua kemi borxh këtë gjë. Jam plak se nuk kisha pyet as shtet, as familje, se kur po i shohë në televizor duke luftuar po na hijeshojnë historinë.” – u kishte thënë baba Cen luftëtarëve sipas Vexhiut.

Bahri Bivolaku

“Ne në banesën e Haki Drenicës pushuam dhe ca e biseduam për thyerjen e disciplinës së Thaçit gjatë kalimit të kufirit të minuar. ‘Isha më i përgatituri fizikisht, apo jo Prizren?’ – më tha Thaçi gjersa shikoi ‘Plakun’ dhe e pyeti për punët e logjistikës. Vërtetë ne me ‘Plakun’ e analizuam se si kemi shpëtuar nga minat, pasi sipas tij, ishte e pamundur pasi çdo cep ishte i minuar, por si duket ose ndonjë shtazë i ka çaktivizuar apo shtresat e mëdha të ngrira të borës ishin arsye për mosshpërthim.” – kështu e vazhdon pjesën e tetë të rrëfimit ish ushtaraku i UÇK-së e dikur edhe pjesë e Shërbimit Informativ Kombëtar, Vexhi Halili.
Pas pushimit, grupi niset për Tiranë, gjersa Fatosi e Vexhiu ndahen nga ata tek busti i Shotë Galicës për të gjetur banesë, ku më pas duhej zhvilluar trajnimet për Fatosin e ushtarakët tjerë. Vexhiu pasi kryen punët mendon tani edhe për veten, pasiqë kishte muaj që nuk e kishte parë familjen dhe atë pa e ditur gruaja se ku kishte qenë. “Nuk e dija se kë ta takoja më përpara, gruan me fëmijë, apo të shkoja tek puna për t’u takuar me kolegun Besnikun.” Ai vendosë që të shkojë në shtëpi duke u munduar që të mos “ligshtohet” dhe se kthimin ta paraqet normal sikur të vinte nga ndonjë trajnim i zakonshëm që zhvilloheshin për pjesëtarët e shërbimit. Pas kalimit të kësaj epizode të bukur, Vexhiu shkon të takojë kolegët në punë, duke falenderuar Driton Totën, i cili e kishte zëvendësuar atë me punët e kriptoanalizës.

“Pasdite shkova tek gjashtë-katërshi (pikë referimi në takimet e Kukësit) për ta parë kushëririn e babait që ne të gjithë e njihnim si baba Cen. Një burrë shumë kombëtar dhe intelegjent. Cen Perzhita ishte mbi të 70-tat e tija. E takova në kafe tek vendi dhe posa më pa filloi të më qortonte për mungesën time në këtë kohë. I thashë: ‘Isha në Durrës, pastaj ti e din që ne ushtarakët na çojnë herë në Sarandë, Durrës, Kukës e edhe në Kosovë.’”
Lotët e babës Cen kur e kuptoi se ka kukësian që iu kanë bashkuar luftës
‘Hajde gëzuar ti, se nuk jeni nga ata burra që shkoni në Kosovë. Ata që shkojnë janë burra, janë heronjë, janë djem me gjak shqiptari e me sy të kuq. Ne ua kemi borxh, besa shumë.’ – i kishte thënë baba Cen Vexhiut.
“Baba Cen, së bashku me babain tim e axhallarët, kanë qenë pjesëtarë të LNÇ-së në rininë e tyre. ‘Jam plak se pa iu bashkuar se kisha lanë. Nuk kisha pyetur as shtet e as familje, pasi ata trima kanë nevojë për ekspertë ushtarak se për trima janë vet.’ – më thoshte ai. Duke e ditur për karakterin e fortë të tij dhe përkushtimin kombëtar, vendosa t’i tregoj se ku kisha qenë muajin që kam munguar. ‘Baba Cen, dje sa jam kthyer nga zemra e UÇK-së. Aty pashë shumë guxim e trimëri dhe prapë do të shkoj veç se kemi ca punë për t’i kryer në Tiranë.’ – i thashë unë. Ju mbushën sytë me lotë dhe ashtu duke belbëzuar më thotë: ‘Qohu bir i babës të të përqafoj tash. Edhe në vdeksha nuk më mbetet asgjë merak.’ Këtë veprim e bëri duke më puthur në ballë.” – tregon Vexhiu. Sipas ish ushtarakut, kjo ishte një storie e rëndë dhe baba Cen vazhdimisht belbëzonte e qante. Shihej pengu i madh i brezave të vjetër.

Brenda një ore, 35 intelektualë e ushtarakë kukësian mbushën pyetësorët për t’iu bashkuar UÇK-së
“Kur u ndamë me Kadri Veselin tek busti i Shotë Galicës, më kishte thënë se afërisht brenda 10-12 ditëve na duhesh që të marrëesh pjesë në një takim të rëndësishëm në Tiranë. Lidhja jonë në këtë rast ishte “Plaku”. Ai më njoftoi dhe u nisa për Tiranë në njërën nga bazat e UÇK-së. Aty më priti Kadriu dhe menjëherë më pyeti për logjistikën e Kukësit. I tregova se ka shumë vullnetarë që të na bashkohen, nga të cilët shumë ushtarakë e intelektualë. Kisha bërë një test pyetësori me pyetjen: ‘Nëse do të kishit mundësi që t’i bashkangjiteni UÇK-së direkt në luftime, a do të ishit të gatshëm të merrnit pjesë?’ Për një orë, atë formularë e plotësojnë 35 kukësianë. Ndërkohë ne filluam përgatitjet që të merrnim pjesë në një takim parapërgatitor për në konferencë ndërkombëtare që ishte paraparë të mbahej në një nga hotelet e Tiranës. Papritur dikush e thirri Kadriun për ta takuar. Megjithëse ishte afruar koha e takimit, ai doli duke më porositur se takohemi tek hoteli në mbledhje. Vërtetë unë mendova se çfarë energjie kishin këta njerëz. Para pak ditësh në malet e Berishës, në bjeshkët e rënda të Pashtrikut të ngrirë e minuar, e sot në mbledhje. Unë shkova në hotelin e caktuar sipas porosisë së Kadriut dhe kur hyra në sallë pashë shumë njerëz.” – rrëfen Vexhiu.

Fatos Klosi me krenari ia mbante pallton Kadriut
“Takimi i thirrur pritej të fillonte. Pritej vetëm arritja e Kadri Veselit. Në këtë pauzë unë shikoj pjesëmarrësit. Në krye të tavolinës ishte njëri nga shefët e CIA-s për Ballkanin e që mbulonte problemet në Kosovë, Thaçin, Fatos Klosin (shefin tim) dhe Paskal Milon, ish ministër i Punëve të Jashtme në Shqipëri si dhe shumë të tjerë që nuk i njihja. Ishin të sikletosur ca për vonesën e Kadriut, por Klosi tha se i doli një punë, por nuk vonohet. Në fakt u vonua 15-20 minuta dhe sapo hyrë në sallë, i pari që u ngritë në këmbë ishte Klosi e më pas edhe të tjerët. Me atë pallton e gjatë e të zezë dimërore, Luli (Kadri Veseli) dukej shumë i skuqur në fytyrë nga fajësia e vonesës. Ai duke kërkuar falje për vonesën, e zhvishte pallton dhe pashë Klosin që tentonte t’ia mbante atë e Luli me mirësjellje nuk pranonte, por Klosi këmbëngulte. ‘Është nder e krenari që ta mbajë ty pallton e që të të shërbejë në sallë është pak ore djalë.’ – i tha Klosi. ‘Të lutem prof, mos.’ – ia ktheu Luli. Takimi zgjati dy orë nga ku edhe u nxorën konkluzionet e duhura.” – vazhdon ish oficieri.
Kthimi me Kadriun me urgjencë për Kukës

“Pa e mbaruar darkën mirë, Kadriu më thotë: ‘Prizren çohu se do të nisemi për në Kukës. Natyrisht se ne nuk e dinim se ku na pret e na zë puna. Këtë fat e kanë pasur qindra e mijëra pjesëtarë të UÇK-së. Biseduam mbi pesë orë gjatë rrugëtimit. Në një moment më thotë: ‘Prizren, çështja për të cilën nuk toleroj aspak dhe në asnjë rrethanë e çmim, është tendenca për ta përzier luftën e shenjtë çlirimtare të UÇK-së me luftën fetare.’ Ne veç kishim informacione për tendencën e tillë. Kjo lloj tendence apo “joshje”, kryesisht vinte nga Shërbimet Intelegjente të Beogradit, por ca edhe nga Athina. Tendenca ishte diskreditimi i UÇK-së para faktorit ndërkombëtar për ta paraqitur atë si krijesë të Lindjes. Plaku na kishte ftuar në Krumë për t’u takuar urgjent dhe na thotë se kanë kërkesa nga organizata e grupe të panjohura muslimane për t’iu bashkuar UÇK-së. Luli i përgjigjet menjëherë: ‘Plak, për çdo problem të kësaj natyre, por edhe të tjera të cilat kërkojnë më shumë kujdes, në trajtim do ta kesh në gatishmëri gjithnjë “Prizrenin”. Çështja e kombit me ato fetare kurrë nuk do t’i toleroj të përzihen, sado të dhimbshme e të kushtueshme të jenë pasojat. Këtu është vija e kuqe. Kush dëshiron të luftojë për çështje kombëtare, është i mirëseardhur.’ – ishte porosia më e prerë dhe e vendosur e Lulit që e kisha dëgjuar gjerë më tani.” – përfundon rrëfimin për sot Vexhiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *