KARRIERA, BIZNESI DHE PASURIA – KUSH ËSHTË ALBULENA BALAJ-HALIMAJ, QË PËRCAKTON “FATIN” E KOSOVËS NË WASHINGTON?

Pak politikanë shqiptarë kanë shkelur brenda Shtëpisë së Bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe ata që kanë arritur këtë synim gjatë karrierës së tyre, kanë bërë karrierë goxha të gjatë në politikë para se të hynin në rezidencën zyrtare të Presidentit të ShBA-ve – për shumëkë njeriun më të pushtetshëm të botës.

Mirëpo, ky nuk është rasti i Albulena Balaj-Halimajt, 36-vjeç, nga Prizreni.

Përfaqësuesja më e lartë e Nismës Socialdemokrate në Qeverinë Hoti, karrierën e saj politike e ka nisur vetëm tri vjet më parë, në majin e vitit 2017.

Asokohe Balaj-Halimaj i ishte futur garës për deputete të Kuvendit të Kosovës në maj të vitit 2017, ndërkaq një muaj më vonë, pas një fushate të suksesshme zgjedhore kishte arritur të siguronte ulëse në periudhën e gjashtë legjislative të Kuvendit.

Vota të mjaftueshme për t’u bërë deputete kishte siguruar edhe në zgjedhjet pasardhëse më 2019.

Nga përfaqësimi në Parlament për gati tri vjet me radhë, në dy legjislatura të ndryshme, karriera politike e 36-vjeçares shënoi ngritje të hovshme më 2020 kur u nominua për zëvendëskryeministre nga radhët e Nismës Socialdemokrate në koalicionin LDK-AAK-Nisma. Këtë funksion e ushtron edhe aktualisht.

Ndërkaq, sot, Balaj-Halimaj është ulur në njërën nga dhomat e Shtëpisë së Bardhë përkrah shefit të saj, Avdullah Hotit, për të dialoguar me Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë. Takimi ndërmjetësohet nga dy prej zyrtarëve më të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell e Robert O’Brien.

Zëvendësja e Hotit në ekzekutiv është juriste me profesion. Ka magjistruar në Shkenca Juridike Kushtetuese, Administrative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

 

Por, krahas karrierës politike, paralelisht ajo merret edhe me biznes.

Në vitin 2020, në formularin e deklarimit të pasurisë pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion, Balaj-Halimaj kishte deklaruar se bashkë me bashkëshortin e saj, Edon Halimajn, posedojnë 100 për qind të aksioneve në një kompani të autobusëve.

Madje, në vitin 2020, zëvendëskryeministrja e Kosovës ka zgjeruar veprimtarinë e saj biznesore. Ka hapur edhe një biznes të ri të quajtur “Metal forms SHPK” me gjithsej 20 mijë euro kapital.

Pasuria e paluajtshme e saj arrin vlerën e 1 milionë e 364 mijë eurove, në të cilat përfshihen tri shtëpi. /Insajderi.org

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *