Delegacioni i Kosovës është nisur sot drejt Washingtonit për takimin e 4 shtatorit

Delegacioni i Kosovës që do të përballet me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë në një takim ku i pranishëm mund të jetë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është nisur mëngjesin e ditës së sotme për në Uashington. Për ekipin që do ta përfaqësojë shtetin kanë folur nga Qeveria për Gazetën Express. Rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm delegacioni i Kosovës i përbërë nga tetë persona është nisur drejt Uashingtonit, ku me datë 4 shtator do të përballet me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë. Takimi Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin amerikan është përfolur se mund t’i pajtojë shtetet deri në marrëveshjen përfundimtare, ani pse një gjë të tillë e kanë kundërshtuar në vazhdimësi në Serbi. “Janë nisur sot në mëngjes. Në ekip janë kryeministri Avdullah Hoti, dy zëvendëskryeministrat, Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj-Halimaj, Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, shefja e stafit të kryeministrit, Ardita Dushi dhe koordinatori i Kosovës në dialog, Skënder Hyseni”, bëjnë të ditur në Qeveri. Shefi i ekzekutivit në Shtetet e Bashkuara ka udhëtuar vetëm me partnerët e koalicionit, pasi që dy partitë opozitare Vetëvendosje dhe PDK iu janë përgjigjur negativisht ftesës së tij. Megjithatë, Hoti ftesë nuk iu ka dërguar dy liderëve të shtetit, presidentit e kryeparlamentares, madje as nuk është koordinuar me ta para takimit. Ftesë nuk ka marrë as kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express stafi i kryetares së Kuvendit. “Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani nuk ka marrë asnjë ftesë nga Kryeministri për takimin në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë këshilltari i kryeparlamentares, Bekim Kupina. Kosova dhe Serbia do të përballen me ndërmjetësimin amerikan me datë 4 shtator. Takimi ishte paraparë të mbahej me datë 2 shtator, mirëpo, është shtyrë për dy ditë më vonë pasi që është përfolur se mund të marrë pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *