Haklajt e paditën për shpifje, gjyqtari milioner “fali” Berishën. Gerd Hoxha, kundër Reformës në Drejtësi

Ish kryeministri, i akuzuar për vrasjen e Fatmir, Halil, Ylli e Shkelqim Haklajt, ishte paditur nga familjarët e vëllezërve të vrarë për shpifje. Kishte quajtur “bandë” familjen Haklaj. Kreu i Unionit të Gjyqtarëve e pushoi çështjen, duke i bërë “qokën” e radhës Berishës. Si e paditi Hoxha, Vettingun dhe “Drejtësinë” në Kushtetuese. Pasuria marramendëse e tij

Familja e Haklajve kishte ngritur padi penale kundër ish kryeministrit Sali Berisha. E akuzonte se kishte shpifur. Në padinë e Muharrem, Aishe dhe Zylfie Haklajt, i kërkohej gjykatës dënimi i ish-kryeministrit për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 120 të Kodit Penal, me pretendimin se ka cënuar nderin, dinjitetin dhe reputacionin e familjes së tyre. Berisha e kishte quajtur atë “bandë”, ndërsa Artan Hoxhën anëtar dhe zëdhënës të saj.

“Në 26 shkurt të vitit 2018, në emisionin televiziv, gjatë intervistës së gazetarit Artan Hoxha, ka ndërhyrë me telefon deputeti Sali Berisha, i cili e ka quajtur gënjeshtar e vrasës gazetarin Hoxha. Ndër të tjera ka deklaruar: “Ke qenë anëtar i Haklajve! Ti je një bashkëpunëtor i Haklajve. Ti je një bandit i paguar nga bandat. Vetëm, gazetar nuk mund të marr unë ty, ke qenë në bandën e Haklajve, që të strehonin dhe ushqenin ty. Je zëdhënës i bandave!”, thuhet në padi.

Zylfije Haklaj, në kërkesën drejtuar gjykatës, hedh poshtë akuzat e Berishës se ka pasur ndonjë bandë të Haklajve dhe se Artan Hoxha ka qenë pjesë e saj. Ajo thotë gjithashtu se familja Haklaj nuk ka paguar asnjë gazetar për t’u bërë zëdhënës i saj. Si përfundim Zylfia Haklaj, i kërkon gjykatës që të dënojë Sali Berishën, të cilin e akuzon dhe si vrasës të vëllezëve të saj, me gjobën maksimale që parashikon Kodi Penal, për shpije kundër familjes Haklaj.

Por Gjykata e Tiranës ka menduar ndryshe. Ajo ka vendosur të pushojë padinë penale për shpifje ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Vendimi u dha nga gjyqtari Gerd Hoxha. Padia u pushua me argumentin se s’ishte paraqitur në seancë gjyqësore avokati mbrojtës i familjes Haklaj. Në këtë mënyrë iu bë “qoka” e radhës nga drejtësia Sali Berishës.

Po kush është gjyqtari Gerd Hoxha?! Ai është kreu i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe një ndër kundërshtarët më të fortë të Reformës në Drejtësi e Vettingut. Madje për të vonuar ngritjen e institucioneve të drejtësisë së re, me pretendimin se për këtë reformë po merren si model vende pa një demokraci të konsoliduar, kreu i Unionit të Gjyqtarëve e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Ai kërkoi të bëhej palë në gjykimin e padisë së depozituar nga PD në Kushtetuese për pezullimin e ligjit të Vettingut. Gati tri javë pas ankimit të bërë nga opozita, Unioni iu drejtua me një kërkesë zyrtare Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë fakt.

Në kërkesën e depozituar UGJSH i kërkoi Kushtetueses ta regjistrojë si palë të interesuar në shqyrtimin e ankimimit të PD-së për vetingun. Sipas Gerd Hoxhës, institucionet për monitorimin e gjyqtarëve ekzistojnë. Ato janë ILDKPI, Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë, KLD etj! Ku sipas tij, me këto institucione është e mundur të kontrollohen gjyqtarët.

Por ai kërkon që veçanërisht ILDKPI dhe Inspektoriati, që duhet të jenë vetëm një dhe nën varësinë e KLD dhe jo të Ministrisë së Drejtësisë, duhen trainuar dhe mbështetur. Madje duhen shtuar kapacitetet njerëzore dhe infrastruktura e tyre, në mënyrë që të përballojnë volumin e madh të punës që kanë për të kryer. Gerd Hoxha ishte anëtar i KLD në atë kohë.

Kundërshtimi i kreut të Unionit të Gjyqtarëve vinte për shkak se pasuria e tij ishte e pamatë dhe e kishte sigurtë mbetjen në “rrjetën” e Vettingut! Gerd Hoxha, ish anëtar i KLD, njëherësh kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve, i cili udhëhoqi rezistencën e gjyqtarëve kundër Vettingut dhe Reformës në Drejtësi në tërësi, me anë të disa padive në Kushtetuese, gjatë vitit 2016 kishte blerë një apartament në Vlorë, me sipërfaqe 126,5 m2 dhe me vlerë 55 452 euro. Paratë sipas Hoxhës kanë ardhur nga kursimet e tij dhe të bashkëshortes. Gjithashtu, ai deklaroi edhe marrjen e një kredie 5 000 000 lekë, më 2011 për blerjen e një tjetër apartamenti, ku detyrimi për t’u shlyer ishte 4 288 786 lekë. Po gjatë vitit 2016, Hoxha ka blerë dy makina me vlerë 5 mijë euro dhe 3 056 euro, ndërsa ka shitur një makinë me vlerë 10 500 euro. Habi! Makina e vjetër ‘kushton’ më shumë se sa dy makinat e reja të marra sëbashku.

Por pasuria e tij ka njohur rritje të jashtëzakonshme, pavarësisht se bashkë me bashkëshorten janë rrogtarë shteti. Me këto shpjegohet dhe kundërshtimi i Vettingut dhe Reformës në Drejtësi nga ana e tij. Ndërkohë që nuk mungon të shkojë më tej, “fal” Berishën për padinë e Haklajve. /Pamfleti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *