Shteti me 15 mijë policë, prokurorë e gjyqtarë; qëndron “lepur” para 10 djemve “cuba”, të baballarëve me biznese mafioze

Kjo ndodh, sepse Tom Doshin, Çim Babasin, Hysenbelliun e të tjerë si këta; nuk i ndal askush kur pastrojnë miliarda, kur mbjellin plantacione hashashi e qarkullojnë kokainë e as kur kërcënojnë me “përdredhje qafe” presidentin, krye-opozitarin e kryeministrin; sepse vetë Berisha, Meta e Rama prej 20 vitesh, i kanë “ushqyer” me poste shtetërore, koncesione, trafiqe, kontrabandë, tendera, falje dividente, evazion fiskal, mos-pagesa në dogana e OSHEE

Dy ditë më parë, 5 të rinj pasanikë, të shoqëruar nga “trimat” e tyre, u përleshën me armë zjarri në ish-Bllok-Tiranë; mes kalimtarëve e klientëve, vetëm 50 metër larg Kryesisë së Kuvendit, në zonën kur dikur përleshej djali i Ruçit dhe “çunat” e Rrahman Rrajës.

Në grupet e këtij konflikti të përsëritur edhe 3 herë të tjera me karrige, leva e armë në mes të Tiranës; “komandantë” ishin 2 djemtë e deputet-biznesmenit Tom Doshi; 2 djemtë e ish-deputet- biznesmenit Shkëlqim Babasi dhe djali i biznesmenit Irfan Hysenbelliu.

Nga PD, PS e LSI u hesht, sikur nuk kishin dëgjuar asgjë; ndërsa pas publikimit të emrave në rrjetet sociale; policia publikoi ngjarjen “thatë” dhe vetëm me inicialet e autorëve.

Në rastin konkret, shteti nuk guxoi të publikonte faktin, që në këtë përleshje të armatosur e gjakosur në mes të Tiranës, ishin këta emra të mirënjohur për drejtësinë:

– James Doshi e Marcos Doshi, dy djemtë e deputetit të PS e PSD, Tom Doshi, biznesmen prodhues dhe shitës i ilaçeve me tendera shtetërorë; biznesmen pulash, ndërtimi, “mielli e bimësh bujqësore”.

– Even Babasi e Rois Babasi, dy djemtë e ish-deputetit të PD dhe kryetarit të PD-Njësia-5 Tiranë, Shkëlqim Babasi, biznesmen guroreje, gëlqereje, inerte lumi, ndërtimi e “aktivitete” si Tom Doshi.

– Fatmir Hysenbelliu, djali “model” i Irfan Hysenbelliut, bisnesmen ndërtimi, pronar e ortak në 2 fabrika birre, në 1 bankë, në restorante, resorte bregdetare ku hargaliset çifti presidencial e ku bën mbledhjet “rilindja”; por dhe me bizenese në gurore; grup mediatik gazeta-TV e universitet.

– Vis Bajraktari, dhëndri i pronares së “Top Channel”, Vjollca Hoxha, njohur për lidhje me “çunat e luksit”; dhe “menazher” reklamash, për bizneset që nuk zbatojnë “grafikun”.

Dihet, që këta nuk përleshen as për sport e as nga varfëria; por janë “duart e zeza” të baballarëve biznesmenë; që i kanë nisur milionat me zullume; dhe pas “punëve” që kanë bërë e bëjnë bashkë, kanë llogari interesash të mbartuara e të reja.

Shteti i di këto “llogari” të hapura të tyre, që kanë filluar të zgjidhen me armë; mirëpo bën sikur nuk i shikon e i lejon; jo se nuk ka fuqi para këtyre “pordhacëve”, por sepse shteti që komandon, janë vetë Toma, Çimi, Fania etj.

Këta nuk preken, as kur grabisin trojet e ndërtojnë kulla në mes të Bllokut; as kur rrafshojnë male e thajnë lumenj me gurore dhe HEC-e; kur mbjellin plantacione hashashi e qarkullojnë kokainë; madje as kur kërcënojnë me “përdredhje qafe” presidentin, krye-opozitarin e kryeministrin.

Shteti, vazhdon t’i përkëdhelë me mos-hapje e mbyllje dosjesh kriminale e trafiqesh; dhe me dhënie postesh politike e paprekshmëri të djemve, sa herë përleshen në mes të Tiranës.

Ndaj “junior” Doshët, Babasët, Hysenbellinjtë etj; të këtij kallëpi e luksi të zi; bëjnë si “cuba” me kobure në brez, duke përdorur tipa që i mbajnë para e mbrapa si “të fortë”.

Faktet kanë treguar, se dhe më 12 shtator 2016, djemtë e Tom Doshit e të Çim Babasit; ishin autorë të një konflikti të armatosur në mes të ish-Bllokut; por u prangosën 24 orë dhe gjykata, i “dënoi” nga 40 orë punë, të bërë në bisneset e tyre.

Edhe më 5 qershor 2020, po djemtë e Tom Doshit dhe Çim Babasit, janë përleshur fizikisht me leva e karrige brenda një lokali në ish-Bllok, me djalin e Irfan Hysenbelliut.

A do veprojë ligji njësoj; edhe për këta që zhgryhen në orgji me miliona të zeza e përleshje mes qytetarëve?

Sepse deri sot, postet pushtetin dhe pasurinë e Shqipërisë, ia keni dhuruar baballarëve biznesmenë të panalizuar e izoluar dhe nga SHBA; ndërsa lirinë, qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve, ia keni lënë “monopol” kapadaillëkut, epsheve e kobures së djemve të tyre./Pamfleti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *