Mediat serbe zbulojnë prapaskenat e Hashim Thaçit në Hagë

Megjithëse prej ditës së hënë gjithçka është mbajtur e fshehtë mbi procesin e deponimit të Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale në Hagë, disa nga mediat serbe kanë publikuar të dhëna mbi këtë proces.

Televizioni i njohur i pavarur në Beograd, B92, që është një media private dhe jo pranë Vuçiçit, i referohet një juristi që ka lidhje të forta me ambjentet e Hagës, Branislav Tapuskoviç.

I cili bën të ditur se deri në muajin tetor, nuk do të ketë ndonjë vendim nga ana e Gjykatës Paraprake për padinë e ngritur ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe personave të tjerë.

Sipas Tapuskoviç, ka një përpjekje “politike” në ambjentet e Hagës për ta lënë Thaçin që të jetë President në fuqi deri në muajin tetor, kur edhe do të ketë negociata ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas të gjitha gjasave e gjithë loja tani po luhet në lidhje me statusin ligjor të kreut të Kosovës deri në konfirmimin e akuzës nga Gjykata Paraprake.

Sipas mediave serbe, dy janë mundësitë më të rënda për Hashim Thaçin: Ose Prokuroria Speciale të kërkojë arrestin, ose të lejohet të qëndrojë në një vend të mbikqyrur në Hagë, duke ju tërhequr pasaporta dhe ndoshta me byzylyk mbikqyrjeje.

Sot, Thaçi ka hyrë në ditën e tretë të seancave të pyetjeve nga prokurorët e specializuar, të cilët natyrisht nuk kanë dhënë asnjë njoftim mbi statusin e personit që po pyesin, i cili në këtë rast është Presidenti i Kosovës.

Natyrisht që ende në seancat pyetëse nuk po merren me provat, por thjesht me një deponim të Thaçit, i cili është në asistencën permanente të avokatëve që i kanë matur të gjitha deklaratat me milimetra.

Madje në ato raste kur është shikuar se pyetja e prokurorit ka qenë me spec, kanë ndërhyrë avokatët për të marrë situatën në dorë, pasi kanë të drejtë që të ndërhyjnë gjithmonë kur e shikojnë të nevojshme.

Megjithatë, nëse është e vërtetë, ajo që shtrojnë mediat serbe se kjo situatë do të zvarritet deri në tetor, atëherë do të kemi një gjendje edhe më të rëndë për vetë shtetin e Kosovës. E cila përjeton një President që endet dyerve të Gjykatës, aq më keq nëse prokurori special merr ndonjë veprim për të kufizuar vendimin e Presidentit. Një gjë e tillë është marrë në fakt, pasi ka tre ditë që Thaçi bën rrugën nga hoteli tek Specialja, që nuk ngjan me një kalvar që rrit imazhin e Kosovës, përkundrazi e ul atë.

Imagjino, sa e rëndë do të jetë situata për Kosovën, nëse do të kërkohet për shembull nga kryeministri Hoti liberalizimi i vizave dhe homologët europianë t’i përgjigjen, se ju keni Presidentin dyerve të gjykatave.

Ajo që duhet të ndodhë sa më shpejt është vendimi politik i Thaçit, shkoqur dorëheqja nga posti dhe çlirimi i mbrojtjes së tij me tis institucional.

Kjo gjendje vetëm e rëndon si Thaçin, ashtu edhe Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *