Pak ditë pas dyvjetorit të vdekjes së legjendës Fadil Vokrri, bëhet publike një fotografi e vjetër e tij

Pak ditë pas dyvjetorit të vdekjes së legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit, bëhet publike një fotografi e tij.

Gazeta Express ka siguruar një fotografi nga lexuesit e saj ku shihet legjenda Fadil Vokrri së bashku me futbollistin dhe trajnerin Nenad Bjeković, futbollistin tjetër maqedonas Milko Djurovski dhe trajnerin Momčilo Vukotić.

Kjo fotografi është realizuar gjatë kohës kur Vokrri luante për Partizanin e Beogradit gjatë kohës së Ish-Jugosllavisë. Ndërsa futbollistët që janë në fotografi me Vokrrin, janë bashkëlojtarët e legjendës.

Me datën 9 të këtij muaji, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë është zbuluar buceta e shtatores së legjendës së futbollit, në dyvjetorin e vdekjes së tij.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në dyvjetorin e vdekjes së tij janë bërë homazhe te varri i tij, ndërsa më vonë u zbulua edhe buceta fituese e shtatores së tij.

Në këtë organizim morën pjesë disa personalitete të fashmshme, si nga bota e sportit, ashtu nga politika, ndërsa fjalime mbajtën Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kryeministri Avdullah Hoti e djali i Vokrrit, Gramoz Vokrri.

Vokrri e filloi karrierën e tij si futbollist me Llapin, mirëpo debutimin si futbollist profesionist e bëri me Prishtinën në vitin 1980. Karriera e tij 15-vjeçare e dërgoi atë në Partizan, Nimes, Fenerbahce, Bourges 18. Në fund të karrierës së tij, në vitin 1995, ai u pensionua në klubin Montlucon.

Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.

Vokrri e shtroi rrugën për suksesin e treguar në Ligën e Kombeve, ku Kosova u promovua nga Liga D në Ligën C dhe e siguroi një vend në play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian. Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *