Hyrja e forcave të UÇK-së dhe KFOR-it në Shtime

Shkruan: Lulzim Sahiti

Pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, për 78 ditë me radhë, në mbrëmjen e 9 qeshorit të vitit 1999, në aeroportin e Agji Tepes, u bë Marrëveshja Ushtarake-Teknike e Kumanovës midis NATO-s dhe Republikës Federative të Jugosllavisë. Kjo i dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë dhe detyroi kapitullimin e kriminelit Slobodan Milošević. Atë natë, nga mjetet e informimit, ky lajm u përhap shumë shpejt dhe nga gëzimi filluan të shtënat në ajrë të pjesëtarëve të UÇK-së në Petrovë dhe pika tjera. Në shenjë hakmarrje, forcat serbe aktivizuan dy minahedhës në oborr të Stacionit të Policisë në Shtime duke gjuajtur në drejtim të forcave çlirimtare.
Të nesërmen, më 10 qershor 1999, ushtarët e UÇK-së bashkë me udhëheqësit e tyre ushtarakë ishin mbledhur në oborrin e shkollës “Bajram Curri” në fshatin Mollopolc për të shënuar 121-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këtë manifestim, të organizuar nga pjesëtarë të UÇK-së, merrnin pjesë në rreshtin e parë: Kadri Veseli, Shukri Buja, Elmi Reçica, Imri Ilazi, Hysen Shahini e të tjerë. Kjo dëshmon se përveç ditëve të vështira gjatë luftës në Kosovë, UÇK-ja ka pasur edhe çaste kur pjesëtarët e saj kanë gjetur pak kohë për argëtim. Një ndër këto ishte shënimi i kësaj date historike vetëm dy ditë para se UÇK-ja të shënonte fitoren përfundimtare.

Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimeve, kurse, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, po në të njëjtën ditë, kishte miratuar Rezolutën 1244, përmes së cilës u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Pas gjithë kësaj, vjen dita më emocionuese dhe ndër më të veçantat për banorët e komunës së Shtimes ishte 12 qershori i vitit 1999, ku kjo datë shënon Ditën e hyrjes, në Shtime, të trupave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Nerodimes, gjegjësisht ushtarët e Brigadës 161 “Ahmet Kaçiku” të udhëhequr nga komandanti Ilmi Ramusholli dhe pjesëtarët e Batalionit të Policisë Ushtarake, të udhëhequr nga Isak Musliu.

21 vjet më parë forcat e UÇK-së kishin hyrë në periferi të qytetit, ndërsa forcat ushtarake e policore serbe kishin filluar tërheqjen e menjëhershme, sipas Marrëveshjes së Kumanovës. Më 12 qershor nga bazat e tyre në Maqedoni kishin filluar depërtimin në Kosovë forcat tokësore të NATO-s të quajtura forcat paqeruajtëse të KFOR-it.
Në mëngjesin e së shtunës, më 12 qershor 1999, Komanda e Zonës Operative të Nerodimes ishte udhëzuar nga komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku që disa ushtarë të përgatitur mirë të afrohen afër qyteteve. Me këtë rast, disa pjesëtarë të UÇK-së dhe të Njësitit Special “Shqiponja” të Zonës rreth orës 11:00 nisen me dy xhipa nga Lagjja Hysenaj e Petrovës drejt qendrës komunale të Shtimes, ku në përbërje të këtij grupi ishin: Komandanti i Batalionit të Parë të ZON, Ismet Salihaj nga Mollopolci, Baki Rashiti nga Petrova, Afrim Musliu nga Reçaku, Hasan Metushi nga Reçaku, Sefë Hysenaj nga Petrova e të tjerë. Me këtë grup kanë qenë edhe Tafë Salihaj nga Mollopolci, Islam Sadiku nga Reçaku etj. Pak më vonë këtij grupi vullnetarisht i bashkangjiten edhe Sadat Salihaj nga Mollopolci dhe Sahit Beqaj nga Petrova. Me t’u afruar afër Shtimes, Bakiu tregon se për çështje sigurie nuk ka pranuar të hyjë në Shtime me xhip dhe ka zbritur së bashku me Hasan Metushin dhe nëpër livadhe ka ecur deri te Lagjja e Bllacalive (tash rruga “12 Qershori”, ku takojnë Muharrem Ramadanin, banor në këtë lagje.

Forcat armike serbe i kanë vërejtur nga Kodra e Shtimes dhe kanë filluar gjuajtjet në drejtim të tyre me pushkë snajperë. Luftëtarët e lirisë janë barrikaduar nëpër shtëpi të lagjes deri sa është errësuar dhe në mbrëmje janë tërhequr në Petrovë. Ndërkaq, pjesëtari i UÇK-së, Sefë Hysenaj, meqë e njihte mirë terrenin ka qëndruar së bashku me Njësitin Special të Zonës. Dy grupet janë dakorduar të takohen në hyrje të rrugës së Bllacalive, ku sot është Sheshi i Dëshmorëve.
Gjatë rrugëtimit të mëtutjeshëm të pjesëtarëve të UÇK-së, nëpër Bashkësinë e Dytë në Shtime, gjegjësisht në hyrje të rrugës “William Volker”, një serb në ikje e sipër ka shtënë në drejtim të luftëtarit të lirisë, Sefë Gani Hysenaj, i cili është plagosur rëndë nga një plumb në syrin e majtë, në gojë dhe dhëmbë. Sipas dëshmitarëve të rastit, Njësiti Ushtarak i UÇK-së që vinte nga Petrova është qëlluar nga ish-eprori rezervë i armatës jugosllave, Jova Dimić, i cili ishte ndihmuar nga dy djemtë e vëllaut të tij, Radomir dhe Dragomir Dimić.

Kjo foto është realizuar nga gazeta italiane e Milanos, “Famiglia Cristiana”.

Krimineli serb ishte pozicionuar prapa një plepi të madh nga i cili ka shtënë në drejtim të ushtarit të UÇK-së. Pas kësaj, krimineli Dimić merrë veturën “Zastava 750” (Fiqa) dhe ik në drejtim të panjohur, ndërsa Radomir Dimić me pushkë automatike gjuan në ajër gjatë tërheqjes së të plagosurit nga ana e UÇK-së dhe me veturën e markës “FSO Polonez” bashkë me banorët tjerë lokalë serbë marrin ikën për Serbi. Rreth orës 12:30, serbët e Shtimes në kolonë kanë nisur tërheqjen e tyre masive duke gjuajtur me lloje të ndryshme të armatimit në drejtim të shtëpive të fqinjëve shqiptarë.
Po ashtu, atë ditë ushtarët: Ramadan Ademaj dhe Shani Jakupi te “Ura e Pashës” janë ngjitur kurrizit përpjetë deri te shtëpia e Mahmut Mahmutit në “Çestë” të Reçakut, ku kanë dëgjuar krismat e pushkëve. Menjëherë kanë zbritur teposhtë kah shtëpitë e djemëve të Shefki Selmanit ku ishin informuar nga banorët lokal për plagosjen e Sefë Hysenajt.

Pasdite kanë hyrë forcat ushtarake të KFOR-it anglez, ndërsa serbët lokalë të Shtimes dhe të tjerët që vinin nga Prizreni vazhduan rrugëtimin e gjatë në kalonë nëpër qendër të Shtimes me plaçkat e tyre, të shoqëruar nga ushtria, policia dhe paramilitarët që kapitulluan dhe humbën luftën e Kosovës.
Në Bashkësinë e Pestë të qytetit të Shtimes, bashkë me familje jetonte Naim Jonuz Rexhaj, i cili përshkruan ditën e çlirimit si mjaftë të tensionuar. Asokohe isha 22-vjeçar tregon Rexhaj dhe rreth orës 15:30 kam dalë nga shtëpia për të parë zhvillimet e fundit. Fillimisht, tregon Rexhaj kam parë dy vetura “Niva” të policisë serbe të parkuara në Stacionin e Policisë në Shtime. Meqë nuk kishte parë njeri të gjallë atypari nga kurreshtja kishte hyrë brenda në stacion, ku thotë kam vërejtur gjurmë të dhunës, gjak dhe çdo gjë të demoluar. Kam parë, gjithashtu dy libra të evidentimit për hyrje-daljet në gjuhën serbe me alfabet cirilik, fotografi të policëve serbë nëpër ahengje e gjëra tjera. Duke dalë nga stacioni policor, në oborrin e shkollës fillore “Emin Duraku” kam parë përplotë traktorë e vetura të ndryshme me tabela PZ, UR, PR etj, të cilat ishin konfiskuar nga shqiptarët gjatë depërtimit të tyre jashtë Kosove.

Në hyrje të rrugës “Anton Çetta” ishte vendosur një tank në njërën anë të rrugës dhe një autoblindë të vogël në anën tjetër të rrugës me ushtarë anglez. Këta e kishin ndalur një konvoj me kamionë që prapa bartnin topa me kalibër 220 milimetra të forcave jugosllave. Kur dola te shtëpia e Fazli Qerimit, një ushtarak serb e drejtoi automatikun në drejtim timin, tregon Rexhaj. KFOR-i më mori nën mbrojtje prapa tankut dhe urdhëroi forcat jugosllave që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në drejtim të Prishtinës. Rreth orës 16:00 ka nisur të bie një shi i madh dhe u ktheva në shtëpi. Dikund në ora 18:00 nga shtëpia kam parë nja 7-8 pjesëtarë të forcave serbe me uniformë të zezë duke ecur këmbë në kolonë teposhtë Çestës së Reçakut.

Pas dy dite, në Shtëpinë e Shëndetit në Shtime, më 15 qershor 1999, kah mesi i ditës, të parët kanë hyrë: dr. Jakup Ismajli nga Carraleva, dr. Naser Bytyqi nga Qylaga, Musa Baftiu nga Zborci, Reshat Gashi nga Shtimja dhe Ajvaz Karpuzi-polic ushtarak nga Shala, të gjithë pjesëtarë të Batalionit të Dytë “Ruzhdi Salihu”, të Zonës Operative të Pashtrikut. Atë ditë, tregon Gashi kanë parë në Stacionin e Policisë në Shtime të vendosur policë ushtarakë të UÇK-së, të cilët u kishin sugjeruar të mos hyjnë në ambulancë se mund të ketë mina, mirëpo ne veç kishim hyrë më parë, bënë të ditur Gashi. Në vendin ku është sot Qendra për Punë Sociale, ishin vendosur “Gurka”-t e Nepalit që shërbenin në kuadër të KFOR-it anglez. Ata kishin vendosur tendat në ledinë dhe aty ishte pika e vendqëndrimit të tyre. Në objektin e Komunës ishin vendosur ushtarët britanik dhe finlandez.

Misioni ushtarak ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Territori i komunës së Shtimes bënte pjesë në zonën e përgjegjësisë së KFOR-it anglez. Ndërkohë, kanë nisur punën edhe administrata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK-Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, kryetar i komunës së Shtimes ishte emëruar Ruzhdi Jashari, ndërsa administrator i parë nga UNMIK-u ishte vendosur, Valeria Pitignat-Wright nga Zvicra.
Pas shumë viteve e dekadave të pushtimit të dhunshëm (87 vjet), Shtimja po frymonte me erë lirie. Kjo ditë erdhi falë sakrificës së dëshmorëve, invalidëve e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes nga miqtë tanë ndërkombëtarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *